Përfundojnë punimet për forcimin e strukturave mbajtëse në urën auto-hekurudhore të Milotit
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar ndërhyrjet për stabilizimin dhe mbrojtjen e pilave të Urës auto-hekurudhore të Milotit, duke rritur sigurinë e qarkullimit në këtë segment të rëndësishëm rrugor.
Ndërhyrjet janë realizuar në urën 788 metra të gjatë dhe kanë përfshirë stabilizimin e pilave të dëmtuara në aksin e rrugës së vjetër, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së strukturës.
Ndërhyrje në 32 pila të urës
Punimet përfshinë pastrimin dhe sistemimin e zonës përreth 32 pilave, nivelimin e shtratit të lumit dhe betonimin e themeleve në një lartësi nga 1.5 deri në 2.5 metra. Përforcimi është realizuar edhe përmes vendosjes së një qilimi mbrojtës me blloqe gabioni të lidhura, sipas projektit teknik të hartuar për stabilizimin e strukturës.
Rritet jetëgjatësia e urës
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi punimet në terren dhe theksoi se ndërhyrjet rrisin sigurinë dhe qëndrueshmërinë e urës. Sipas parashikimeve, masat e marra do të zgjasin jetëgjatësinë e urës për të paktën 5 deri në 10 vjet dhe do të garantojnë një qarkullim më të sigurt për përdoruesit e rrugës.
Qarkullimi pritet të nisë së shpejti
Autoritetet bëjnë të ditur se brenda pak ditësh pritet të nisë qarkullimi në këtë segment, çka do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut drejt veriut të vendit dhe zonave turistike të Lezhës dhe Shkodrës.
Ura u mbyll për shkak të rrezikut strukturor
Në korrik të vitit të kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, vendosi mbylljen e plotë të urës auto-hekurudhore të Milotit pas një inspektimi teknik që evidentoi probleme serioze në qëndrueshmëri. Ekspertët konstatuan dëmtime të konsiderueshme në themelet mbështetëse dhe erozion të theksuar në bazament, të shkaktuar nga gërryerjet e shtratit të lumit dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit.
Gjatë kësaj periudhe qarkullimi i automjeteve është devijuar përmes rrugëve alternative, si segmenti Lezhë–Milot dhe Rruga e Kombit. Ndërtimi i një ure të re është parashikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në kuadër të programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.